logo igeo

Departamenti i Sizmologjisë (DS)

Departamenti i Sizmologjisë (DS) është një njësi bazë kërkimore brenda Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), pjesë e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT). Veprimtaria e tij zhvillohet në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi, përkatësisht Ligjin nr. 80, datë 22.07.2015, "Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë", Statutin e Universitetit Politeknik të Tiranës, të miratuar me Vendimin nr. 10, datë 11.01.2019, të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si dhe aktet nënligjore përkatëse.

Në zbatim të mandatit të tij institucional, Departamenti i Sizmologjisë është përgjegjës për:

  • Monitorimin dhe regjistrimin e aktivitetit sizmik në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe në rajonin përreth;
  • Koordinimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin efektiv të Rrjetit Sizmologjik të Shqipërisë (RrSSh);
  • Vlerësimin në kohë reale dhe informimin e menjëhershëm mbi aktivitetin sizmik dhe tërmetet me ndikim në nivel kombëtar dhe rajonal;
  • Ofrimin e mbështetjes operacionale dhe tekniko-shkencore për strukturat e Mbrojtjes Civile, në të gjitha nivelet, në funksion të përgatitjes, zvogëlimit të ndikimit të rrezikut (riskut) dhe reagimit ndaj situatave të emergjencës sizmike;
  • Kërkimin shkencor bazë dhe të aplikuar në fushën e sizmologjisë, duke kontribuar në zhvillimin dhe transferimin e njohurive për proceset sizmike natyrore dhe/ose artificiale, strukturën e brendshme të Tokës dhe ndikimin e tërmeteve në mjedisin socio-ekonomik të vendit;
  • Ofrimin e shërbimeve profesionale për palë të treta, brenda fushës përkatëse të ekspertizës.

Departamenti i Sizmologjisë, nëpërmjet infrastrukturës kombëtare të monitorimit dhe arkivës së të dhënave sizmologjike, përfaqëson të vetmen njësi kërkimore-shkencore në Shqipëri të specializuar për monitorimin e tërmeteve, studimin e sizmologjisë dhe vlerësimin e rrezikut sizmik në shkallë kombëtare.

Misioni

Departamenti i Sizmologjisë (DS), si njësi bazë kërkimore-shkencore në Institutin e Gjeoshkencave (IGJEO), ka për mision monitorimin e vazhdueshëm të aktivitetit sizmik, studimin dhe vlerësimin e tërmeteve, si dhe reduktimin e ndikimit të tyre në mjedisin socio-ekonomik të vendit.

Ky mision realizohet përmes zhvillimit dhe modernizimit të rrjetit sizmologjik, standardizimit dhe ruajtjes së të dhënave, aplikimit të teknologjisë dhe metodologjive të avancuara, përfshirë përpunimin në kohë reale dhe inteligjencën artificiale në analizat sizmologjike.

DS siguron transmetimin e të dhënave në kohë reale drejt Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Aktivitetit Sizmik (QKMAS) dhe institucioneve ndërkombëtare, menaxhon stacione të përkohshme dhe bashkëpunon në eksperimente me partnerë kombëtarë e ndërkombëtarë, duke kontribuar në shkëmbimin shkencor dhe zgjerimin e njohurive mbi proceset sizmike.

Përmes kombinimit të përpunimit automatik dhe analizës së cilësisë, DS ofron informacion të shpejtë parametrik për institucionet përgjegjëse, publikun dhe komunitetin shkencor, si dhe kontribuon në bazat globale të dhënave përmes bashkëpunimit me EMSC dhe ISC.

Në thelb, misioni i DS është të karakterizojë burimet sizmike dhe ndikimet e tyre, duke mbështetur ndërtimin e një shoqërie më të sigurt dhe të mbrojtur ndaj tërmeteve.

Vizioni

Departamenti i Sizmologjisë synon të konsolidohet si autoritet shkencor kombëtar në fushën e sizmologjisë, duke udhëhequr zhvillimin shkencor dhe teknologjik për monitorimin dhe analizën e tërmeteve, me synimin për të ndërtuar një shoqëri të sigurt, të qëndrueshme dhe të informuar ndaj rrezikut sizmik. Ky vizion mbështetet në inovacion, dixhitalizim, bashkëpunim ndërkombëtar dhe rritje të kapaciteteve kombëtare për përballimin e fatkeqësive natyrore.

Kontributi

Departamenti i Sizmologjisë luan një rol thelbësor në sistemin kombëtar të monitorimit sizmik, në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në përballjen me rrezikun sizmik, përmes një kontributi shumëplanësh që përfshin:

  • Koordinimin, përdorimin dhe mirëmbajtjen e Rrjetit Sizmologjik Shqiptar, si bazë e monitorimit të pandërprerë të aktivitetit sizmik në vend;
  • Funksionimin si Qendra Kombëtare e të Dhënave Sizmologjike, duke garantuar sigurinë, cilësinë dhe ruajtjen afatgjatë të dhënave sizmologjike në përputhje me standardet ndërkombëtare;
  • Rolin si qendër e modernizimit teknologjik dhe transferimit të njohurive në fushën e sizmologjisë instrumentale, përmes integrimit të teknologjive të avancuara dhe proceseve të dixhitalizuara;
  • Ofrimin e shërbimeve mbështetëse për strukturat qendrore dhe lokale të Mbrojtjes Civile, përfshirë vlerësimin e rrezikut sizmik, përgatitjen e skenarëve të tërmeteve dhe hartimin e hartave të goditjes (ShakeMap);
  • Zhvillimin e kërkimit shkencor në fushën e sizmologjisë së tërmeteve, sizmicitetit, dhe vlerësimit të rrezikut sizmik;
  • Pjesëmarrjen aktive në eksperimente dhe fushata sizmologjike, në bashkëpunim me partnerë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, në fushën e sizmologjisë teorike dhe të aplikuar;
  • Ofrimin e shërbimeve shkencore dhe teknike për palë të treta, në përputhje me fushën e ekspertizës së Departamentit dhe nevojat e sektorit publik dhe privat.