Departamenti i Sizmologjisë (DS)
Departamenti i Sizmologjisë është një njësi bazë kërkimi në Institutin e Gjeoshkencave (IGJEO), nën Universitetin Politeknik të Tiranës (UPT), në bazë të Urdhërit Nr. 371, datë 28.07.2011 për themelimin e ish-Institutit të Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), lëshuar nga ish-Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, aktualisht Ministria e Arsimit dhe Sporteve (MAS); Ligji Nr. 80, datë 22.07.2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë” dhe akteve të tjera nënligjore në zbatim të tij, veҫanërisht Statutit të Univeristetit Ploliteknik të Tiranës (SA-UPT), të miratuar me vendim Nr. 10, datë 11.01.2019, nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve (MAS), si dhe në aktet e tjera rregullatore të brendëshme, që:
- Monitoron dhe regjistron aktivitetin sizmik në Shqipëri dhe rreth saj;
- Përdor dhe administron Rrjetin Kombëtar Sizmologjik Shqipëtar (RrKSSh);
- Garanton shpërndarjen në kohë reale të informacionit mbi tërmetet dhe mbështet aktivitetet e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC) për menaxhimin e Riskut Sizmik me anë të aktivitetve operacionale dhe kërkimore-shkencore në kuadër të parapregatitjes, zvogëlimit dhe reagimit;
- Ndërmerr kërkim shkencor bazë dhe të aplikuar në fushën e Sizmologjisë dhe Sizmologjisë Inxhinierike;
- Ndërmerr shërbime në fushën e Sizmologjisë për palë të treta.
DS përfaqëson infrastrukturën e vetme në vend për monitorimin e tërmeteve, studime sizmologjike dhe vlerësimin e rrezikut sizmik.