Instituti i Gjeoshkencave
Fjala e Drejtorit
Prof. Dr.
Ylber
MUCEKU
Drejtori i Institutit te Gjeoshkencave
Instituti i Gjeoshkencave është një qendër kombëtare e kërkimit shkencor në Shqipëri, në fushën e gjeologjisë rajonale dhe të aplikuar, sizmologjisë, meteorologjisë, hidrologjisë, si dhe mjedisit. Ai ka si mision të avancojë kërkimin shkencor duke përdorur një teknollogji dhe metodologji nga më modernet e kohës, në fushën e gjeoshkencave me qëllim përfitimin afatgjatë të ekonomisë dhe shoqërisë Shqiptare. Gjithashtu, synon të kontribuojë në mësimdhënien për një arsim të thelluar universitar të studentëve, si dhe në kualifikimin e shkencëtarëve të rinj, duke kombinuar kërkimin shkencor të avancuar dhe inovativ me përvojat arsimore në fushën e gjeoshkencës.
Instituti i Gjeoshkencave monitoron dhe vlerëson rreziqet natyrore si tërmetet, stuhitë, ortekët, përmbytjet, thatësirat, zjarret, tektonikën aktive, rrëshqitjet masive të shpateve kodrinore dhe malore, erozionin e tokës etj., me qellim uljen e riskut. Prandaj, për dekadat e ardhshme kërkimi shkencor në fushën e gjeoshkencave, do të trajtohet i lidhur drejtpërdrejt me sfidat e shoqërisë ndaj rreziqeve natyrore, ndryshimeve klimatike, burimeve natyrore, ujin dhe përdorimin e tokës, etj. Vizioni ynë është që Instituti i Gjeoshkencave të jetë një institucion elitar e kërkimit shkencor në fushën e gjeoshkencave në vendin tonë dhe një patner i rëndësishëm ndërkombëtar, për të kontribuar dhe shërbyer zhvillimit ekonomik dhe shoqërisë në Shqipëri dhe më gjërë.
Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO)
IGJEO, Instituti i Gjeoshkencave, më parë i njohur si Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM), është një institucion i kërkim-zhvillimit dhe njësi kryesore e Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).
Ky institut kombëtar, i vetmi në fushën e Gjeoshkencave në Shqipëri, u krijua fillimisht si një bashkim i dy instituteve të mëparshme të kërkimit, Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO) dhe Institutit të Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (INEUM), bazuar në VKM Nr. 560, datë 22.08.2007 dhe VKM Nr. 561, datë 22.08.2007 ("Për bashkimin e disa instituteve dhe njësive kërkimore të Akademisë së Shkencave, pranë Universitetit Politeknik të Tiranës"). Më tej, ky institucion mori emërtimin "Instituti i Gjeoshkencave" me vendim të Senatit Akademik të Universitetit Politeknik të Tiranës, Nr. 36, datë 27.07.2021.
Instituti i Gjeoshkencave ka si mision:
- Të kryejë kërkim shkencor bazë dhe të aplikuar në fushën e Gjeologjisë, Hidrologjisë, Meteorologjisë dhe Sizmologjisë;
- Të kontribuojë nëpërmjet monitorimit, parashikimit dhe kërkimit shkencor mbi rreziqet natyrore gjeologjike dhe hidro-meteorologjike, në mbeshtetje të strukturave të mbrotjes civile, sigurisë kombëtare dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit;
- Të kontribuojë në formimin universitar të thelluar dhe në kualifikimin e kërkuesve të rinj nëpërmjet transferimit të njohurive dhe teknologjiësë, në fushat e kërkimit që mbulon;
Detyrat kryesore të Institutit të Gjeoshkencave, në përmbushje të misionit:
- Monitorimi i pandërprerë sizmologjik, hidrologjik dhe meteorologjik, nëpërmjet tre rrjeteve kombëtare të monitorimit, lokalizimi dhe vlerësimi i tërmeteve dhe fenomeneve të tjera gjeologjike, parashikimi i ngjarjeve ekstreme meteorologjike dhe permbytjeve, si dhe informimi i institucioneve përgjegjëse dhe publikut;
- Administrimi, mirëmbajtja dhe modernizimi i qëndrueshëm i rrjeteve të monitorimit, si dhe krijimi, përditësimi dhe ruajtja e Arkivës Kombëtare të të dhënave në fushat e përgjegjësisë;
- Studimi dhe vlerësim i rrezikut sizmik, rrezikut hidrologjik dhe ndryshimeve klimatike, kryerja e studimeve me karakter përgjithësues dhe aplikativ, si dhe veprimtaria akademike për transferimin e njohurive në fushat e përgjegjësisë;
- Ofrimi i ekspertizave dhe kryerja e shërbimeve, për persona fizik apo juridik brenda dhe jashtë vendit, në fushat e që mbulon;
- Bashkëpunimi institucional me institucione partnere brenda dhe jashtë vendit, brenda kuadrit ligjor të përcaktuar si dhe memorandumeve të mirëkuptimit, për bashkëpunim dy apo shumë palësh;
IGJEO ka në pronësi dhe përdor: Rrjeti Kombëtar Sizmologjik, Rrjeti Kombëtar Hidrologjik dhe Rrjetin Kombëtar Meteorologjik.
IGJEO ka në ngarkim dhe përdor për qëllime të mbështetjes operacionale dhe strategjike ndaj strukturave të Emergjencave Civile, si dhe në mbështetje të kërkimit shkencor dhe veprimtarisë akademike, arkivën kombëtare me të dhëna sizmologjike, meteorologjike dhe hidrologjike, si në formatin analog ashtu edhe digjital. Instituti është përgjegjës për krijimin, përditësimin, modernizimin dhe ruajtjen e kësaj Arkive.