logo igeo

Departamenti i Gjeologjisë (DG)

Departamenti i Gjeologjise është Njesia Baze e Institutit te Gjeoshkencave që nxit, organizon, zhvillon dhe promovon veprimtarinë kerkimore në fushën e gjeologjisë baze dhe te aplikuar, të konsulencës mbi bazën e kontakteve dhe marrëveshjeve në fushat e veprimtarisë së tij, në përputhje me Aktet Ligjore te Aresimit te Larte, Statutin e Universitetit Politeknik tëTiranës, Rregulloren e Brendshme të Institutit te Gjeoshkencave dhe aktet e tjera nenligjore. Struktura e departamentit te Gjeologjise eshte e organizuar ne tre grupe kerkimor-mesimore te cilat jane :

  • Grupi Kerkimor - mesimor i Gjeologjise Regjionale & Tektonikes
  • Grupi Kerkimor - mesimor i Gjeologjise se Zbatuar
  • Grupi Kerkimor - mesimor i Gjeofizikes dhe Gjeomagnetizmit

Misioni

Departamenti i Gjeologjise, sipas urdhërit Nr.371, datë 28.7.2011 te Ministrit e Arsimit dhe Shkences ka per mision:

  • Të kryejë kërkim shkencor, bazë dhe të aplikuar, në fushën e Gjeoshkencave (Gjeologjise regjionale, tektonikes, gjeofizikes dhe gjeomagnetizmit);
  • Të marrë pjesë në formimin universitar, të thelluar, të studentëve dhe në kualifikimin e shkencëtarëve të rinj;
  • Të kryejë shërbime për të tretë dhe të ndihmojnë në transferimin e njohurive e të teknologjisë në fushat e pasurive natyrore, të Gjeoriskut, Gjeoinxhinierisë dhe Gjeoinformacionit.

Vizioni

Konsolidimi dhe forcimi i vazhdueshëm i kapaciteteve kërkimore

Zhvillimi i burimeve njerëzore dhe rritja e nivelit të ekspertizës në fushën e gjeologjise; aftësimi i personelit shkencor ekzistues dhe përtëritja e tij me punonjës shkencorë të rinj, të përzgjedhur mbi kritere shkencore rigoroze, për të siguruar vazhdimësinë e kërkimit shkencor në fushat përkatëse dhe për të përballuar sfidat e të ardhme. Plotësimi, përmirësimi dhe fuqizimi i infrastrukturës së kërkimit shkencor dhe zhvillimi i i teknologjisë, që aktualisht është e dobët dhe nuk i përgjigjet kërkesave të kohës e standarteve bashkëkohore;

Forcimi dhe përmiresimi organizativ i Departamentit, duke synuar në përmirësimin menaxhues; perpjekje maksimale per zgjerimin e autonomisë se departamentit dhe për të nxitur iniciativën e motivuar veprimtarinë kërkimore e aplikative; propozime per permiresime ne kuadrin rregullator për t’ju përshtatur kushteve aktuale dhe dinamikës së zhillimeve të ardhme

Orientimi i kërkimit shkencor:

Kërkimi shkencor në Departamentin e Gjeologjisë do të bazohet në trashëgiminë e pasur të studimit gjeologo – tektonik të vendit, pasurive minerale dhe gjithë fenomenve gjeologjike. Për këtë qëllim pikënisje e rëndësishme do të jetë studimi i kujdesshëm i gjithë kësaj trashgimie në publikimet shkencore, materialet e shumta arkivore, vecanarisht në Arkivin Qendror të Gjeologjisë. Duke qenë se Departamenti i Gjeologjise si trashegimtar i Institutit të Kërkimeve Gjeologjike eshte bashkëautor ose autori kryesor i krijimit të kësaj trashegimie, do të kërkojë ligjërisht të drejtën e autorit.

Avancimi i shkallës së njohjes së ndërtimit gjeologjo-tektonik të vendit, pasurive minerale dhe gjithë femomenve gjeologjike të truallit shqiptar duke bërë një analizë kritike të të gjithë asaj që është arritur, evidentimin e të gjitha problematikave dhe mundësinë e zgjidhjes se tyre bazuar në kapacitetet shkencore, përdorimin e metodave studimore bashkëkohore, metodave analitike bashkëkohore dhe bashkëpunimin e ngushtë me institucione shkencore rajonale, Evropiane dhe me gjerë.

Orientimin e kërkimit shkencor në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit dhe kërkesat e tregut, kryesisht ne ato prioritare; përshtatja me standartet bashkëkohore e produkteve shkencore, ekspertizave dhe shërbimeve.

Organizimin e veprimtarisë kerkimore - shkencore, në fushat e kërkimit mbi bazë projektesh; integrimi në programet kombëtare të kërkimit dhe zhvillimit, si dhe në projektet me financime të huaja, rajonale, europiane e më gjërë.

Forcimin e partneritetit dhe të marrëdhënieve të bashkëpunimit me institucione e organizata të huaja analoge, veçanërisht me ato rajonale e evropiane; shkëmbimi i informacionit dhe pjesëmarrja në projekte të përbashkëta. Prioritet do te kete bashkepunimi dhe perfitimi i ndersjellete me vendet kufitare me Shqiperise (Kosove, Mali i Zi, Maqedoni, Greqi dhe Itali)

Perdorimi sa me i gjere i teknologjise bashkekohore, zhvillimin e teknologjive të gjeoinformacionit për mbledhjen dhe gjenerimin e informacionit hapsinor, ku krahas metodave tradicionale një rol gjithnjë e më të madh po luajnë fotografitë ajrore dhe imazhet satelitorë (remote sensing), si dhe teknologjitë numerike të mbledhjes dhe transmetimit në kohë reale të të dhënave instrumentale, veçanërisht për monitorimin, modelimin dhe detektimin e ndryshimeve.

Integrimi i kërkimit me formimin universitar

Departamenti i Gjeologjisë, në kuadër të IGJEO, do të integrohet me të gjitha kapacitetet kërkimore, stafin e kualifikuar akdemik, burimet e informacionit, bazën teknologjike, ekspozete muzeale etj, ne formimin universitar, kryesisht për diplomat ”Master ” dhe ”Doktor i Shkencave” në fushën e gjeoshkencave. Pjesëmarrja në formimin universitar, veçanërisht në ciklin e dytë dhe të tretë të studimeve, dhe përfshirja e kandidatëve në projektet kërkimore të Departamentit, do të ndikojë pozitivisht edhe për evidentimin dhe përzgjedhjen e punonjësve të rinj shkencorë që mund të integrohen dhe punësohen në të ardhmen në Departament.

Menjehere do te fillohet puna per pergatitjen e programeve te Diplomave per ”Master profesional”, ”Master Shkencor” dhe ”Doktor i Shkencave”

Bashkëpunimi me Departamentet ne Fakultetet brenda UPT-së dhe institucionet e tjera arsimore në vend, si dhe bashkëpunimi me institucione analoge rajonale e evropiane që operojnë në fushën e gjeoshkencave dhe të gjeoinformacionit, është me interes reciprok, dhe do të përbëjë një angazhim të përhershëm.

Shërbimet e konsulencës dhe transferimi i dijeve e teknologjisë

Departamenti do të bëjë gjithë përpjekjet për rregullimin e kuadrit ligjor për të marrë atribute ligjore për studime me të tretë (bashki, komuna, kompani private), për studimin e rreziqeve gjeologjike në territoret e Bashkive dhe Komunave dhe veҫanërisht për kompanitë që operojnë në fushën e kërkimit, zbulimit dhe shfrytëzimit të ujrave nëntokësorë, mineraleve të ngurta, naftës e gazit, materialeve të ndërtimit etj. Po ashtu terren i rëndësishëm i veprimtarisë së Dapartamentit të Gjeologjisë, në bashkëpunim me Departamentet e tjera të IGJEO, do të jetë realizimi i Ekspertizave dhe Studimeve për veprat infrastrukturore të rëndësishme në vend (rrugë, ura, tunele etj), si dhe vepra të tjera të rëndësishme si portet, aeroportet, blloqe banimi, ndërtime te rëndësishme industriale, kanale, rezervuare, HEC-e, vepra të tjera të rëndësishme energjitike si Centrale Elektrike të bazuara në ngrohjen diellore apo energjinë e erës etj. Rakordimi me institucionet shtetërore dhe bashkëpunimi me kompanitë private që operojnë në infrastrukturë për marrjen e të dhënave gjeologjike, tektonike, gjeo – teknike dhe metalogjenike që zbulohen gjatë realizimit të gërmimeve për infrastrukturën, karrjera dhe punimeve të rëndësishme për shfrytëzimin e mineraleve, puse të thella kërkimore etj. Këto të dhëna duhet të konsiderohen si pasuri kombëtare dhe të andministrohen me kujdes nga institucionet shtetërore.

Zgjerimi i gamës së aplikimeve dhe rritja e cilësisë së projekteve të bashkëpunimit e shërbimeve për të tretë do të përmirësojë dhe orientojë më mirë kërkimin shkencor të Departamentit drejt problemeve reale të vendit dhe do ta pasurojë bazën informative me të dhëna të reja të përftuara nga punimet e studimet që kryejnë kompanitë publike apo private për nevojat e tyre. Nga ana tjetër, të ardhurat e përftuara nga këto veprimtari do të ndihmojnë për të përshpejtuar rinovimin dhe zhvillimin teknologjik dhe motivimin e punonjësve për t’u integruar më mirë me problemet dhe nevojat e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë;

Përhapja e dijeve dhe transferimi i teknologjisë përmes kurseve trajnuese, projekteve të përbashkëta e shërbimeve për të tretë, do të kontribuojë në ngritjen e nivelit konceptual dhe të aplikimeve praktike në fushat që mbulojmë, për organizatat dhe kompanitë partnere, qofshin këto publike apo private.

Kontributi

- Studime te thelluara dhe evidentimin  e fakteve te reja per permiresimin dhe rrijen e nivelit shkencor te hartave ekzistuese të Shqipërisë (gjeologjike, metalogjenike, kuaternarit, hidrogjeologjike, formacionale, tektonike, të rrezikut gjeologjik, rajonizimit simik, të radonit, etj.) në shkallë 1/200000, 1:50000, 1:25000 dhe 1:10000 në format dixhital. Publikimi i ketyre hartave kur te dhenat e grumbulluara sjellin ndyshime thelbesore ne sasi dhe cilesi.

- Ndërtimi i bazës së të dhënave për analizat kimike shkëmbore dhe mineralogjike, përcaktimet paleontologjike, matjet strukturore, përcaktimet me mikrosonde elektronike, përcaktime të moshave absolute, etj.

- Realizim studimesh për aspektet gjeologjike, strukturore dhe tektonike që përfaqësojnë fenomene unikale ose tepër të rralla kombëtare ose rajonale duke synuar ndërmarrjen e projekteve të përbashkëta me financim kryesisht nga institucionet ndërkombëtare.

- Realizim studimesh për rreziqet natyrore dhe rreziqet që vijnë nga veprimtaria e njeriut (rrëshqitjet, erozioni, përmbytjet, tërmetet, ndotjet, vend-depozitat, shembjet në territorin e minierave, etj). Prioritet do të kenë territoret pranë zonave të banuara, zonat turistike, zonat pranë veprave industriale, zonat pranë infrastrukturës rrugore, të tensionit të lartë, veprave historike dhe gjetjeve të rëndësishme arkeologjike, etj. Krijim i bazës së të dhënave për të gjithë informacionin e grumbulluar.

- Realizim punimesh me porosi si hartografim gjeologjik, dhe studime specifike për perspektivën mineralmabajtëse, etj.

- Studime për vlerësimet e integruara gjeomjedisore të terreneve të ndotura, zonave urbane dhe turistike.

- Studimi dhe vlerësimi i pasurive minerale si materialet e ndërtimit, burimeve nëntokësore, energjisë dhe resurseve ujore nëntokësore ;

- Studimi i rreziqeve gjeologjike dhe të atyre të shkaktuara nga veprimtaria e njeriut ;

- Përshtatja e standarteve evropiane në fushën e gjeologjisë, gjeologjisë inxhinierike-gjeoteknike dhe gjeofizike ;

- Studime gjeofizike, rajonale e vendore, në kuadër të hartografimeve gjeologjike, të studimeve të gjeomjedisit, arkeologjisë, energjisë gjeotermale, etj.

- Studime në fushën e stratigrafisë, paleontologjisë, petrologjisë dhe gjeokimisë etj.

- Studime të thelluara të tektonikës, ne menyre te vecante te tektonikes aktive ku gjenerohen termete, rreshqitje, subsidenca etj.

- Studimetë thelluara dhe hartografime gjeologjike.

- Hartografime gjeologo-inxhinierike te qyteteve te Shqiperise per qellime te mikrozonimeve sizmike, te zhvillimeve dhe planifikimeve urbane, ne bashkepunim te ngushte me Departamentin e Sizmologjise.

- Studime komplekse gjeologo-inxhinierike dhe gjeofizike ne shpatet kodrinore te zonave urbane per vleresimin e qendrueshmerise se shpateve.

- Hartografime hidrogjeologjike ne shkalle te ndryshme.

- Studime hidrogjeologjike me qellime furnizimin me uje te pijshem te zonave apo rajoneve ne Shqiperi.

- Studime dhe vleresime gjeoteknike të truallit per qellime te ndertimit të objekteve inxhinierike.

- Studime komplekse hidrogjeologjike-gjeofizike me qellime furnizimin me uje te pijshem te zonave apo rajoneve ne Shqiperi.

- Studime dhe monitorime të rrezikut të radonit dhe të niveleve të radioaktivitetit natyror në tokë, ujë dhe në ajrin e mjediseve të brendëshme në hapsirat urbane dhe rurale të vendit tonë.

- Studimi i fenomenit te erozioni ne shqiperi me qellim marrjen e masave per mbrojtjen ndaj tij.

- Studime komplekse gjeologo-inxhinierike dhe gjeofizike ne kerkim-zbulimin e monomenteve te kultures (mure kalash etj.) qe jane te mbuluara nga dherat etj.

- Studime komplekse gjeologo-inxhinierike dhe gjeofizike ne zonat e banuara me zhvillim karsti me qellim te vleresimit te rrezikut qe mund te shkaktohet nga fenomeni i subsidences (çedimi ose ulja te tokave).

- Integrimi i studimeve gjeofizike dhe monitorimi i treguesve të gjeorrezikut në zhvillimet infrastrukturore, urbane dhe turistike të vendit tonë.

- Regjistrimi dhe studimi i ndryshimit të fushës gravimetrike të tokës dhe rivleresimi i anomalive magnetike të përftuara në territorin e Republikes të Shqipërisë.

- Regjistrimi dhe studimi i ndryshimit të fushës magnetike të tokës dhe rivleresimi i anomalive magnetike të përftuara në territorin e Republikes të Shqipërisë.

- Vlerësime të integruara gjeomjedisore të terreneve të ndotura, zonave urbane dhe turistike në ndihmë të një zhvillimi të qëndrueshëm

- Formimi universitar, kryesisht në nivelin “Master” dhe “Doktor Shkencash” të studimeve dhe kualifikimi shkencor i shkencëtarëve të rinj në  e vlerësimit të mineraleve të dobishme;

stratigrafisë; petrokimisë; gjeokimisë; gjeologjisë inxhinierike; gjeologjisë strukturore dhe në fushën e gjeofizikës (gjeofizika inxhinerike dhe e mjedisit, gjeofizika e zbatuar në hidrogjeologji, radiometri dhe gjeomjedis).