Hartat probabilitare të rrezikut sizmik dhe vlerat e tyre për çdo njesi administrative

Departamenti i sizmologjisë në mbledhjen e datës 29/01/2021, bazuar në VKM Nr. 1162, datë 24/12/2020 “Për përcaktimin e procedurave dhe të afateve për pajisjen me vërtetim për riskun të subjekteve, të cilat kërkojnë të pajisen me leje zhvillimi/ndërtimi”, diskutoi për rezultatet e deritanishme  të vlerësimit të rrezikut sizmik të Shqipërisë të prezantuara nëpërmjet hartave përkatëse probabilitare. 

Departamenti morri në shqyrtim rezultatet e studimit të realizuar në kuadër të projektit të NATO “SPS 984374”, 2012-2015, me titull “Përmirësime të hartave të harmonizuara të rrezikut sizmik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, me autorë, për palën shqiptare: Prof. N. Kuka, Prof. Ll. Duni, Prof. Acos. R. Koçi, Dr. E. Dushi, Dr. E. Begu dhe Msc. Rr. Bozo. Hartat e rrezikut sizmik të formuluara nëpërmjet metodologjisë probabilitare në kuadër të projektit të sipërpërmendur janë ripunuar në periudhën Janar-Mars 2020 nga Prof. Neki Kuka, duke aplikuar dy modele të reja të prognozimit të lëkundjes së truallit. Analiza e të dhënave në periudhën Janar-Mars 2020 është realizuar me paketën e programeve NSHM2014r (https://github.com/usgs/nshmp-haz-fortran/) të Shërbimit Gjeologjik Amerikan, të cilët janë përdorur për të gjeneruar hartat e përditësuara (2014) të Modeleve Kombëtare të Rrezikut Sizmik (NSHM - National Seismic Hazard Models) për SHBA (http://pubs.usgs.gov/of/2014/1091/). Hartat probabilitare të Shqipërisë të prezantuara në Departamentin e Sizmologjisë janë rezultat i ponderimit të hartave të përftuara nga projekti i NATO “SPS 984374”, 2012-2015, të llogaritura me anë të programit OHAZ (program i IGJEUM-it në bashkëpronësi me ARSO, Agjensia e Mjedisit e Sllovenisë), me ato të gjeneruara nga analiza e të dhënave me paketën e programeve  NSHM2014r.

Pasi diskutoi për materialet e paraqitura, Departamenti vendosi:

1.   Të rekomandojë për përdorim për qëllime të projektimit të strukturave në territorin e vendit tonë hartat probabilitare të rrezikut sizmik të Shqipërisë të hartuara në periudhën Janar-Mars 2020, përkatësisht, atë me probabilitet tejkalimi 10% në 50 vjet (periudhë përsëritje 475 vjet) dhe probabilitet tejkalimi 10% në 10 vjet (periudhë përsëritje 95 vjet) dhe t’i publikojë ato në faqen web të IGJEUM-it. Këto harta do të jenë në përdorim deri në finalizimin e një projekti për përditësimin e tyre sipas të dhënave më të fundit të tërmeteve në vendin tonë dhe rreth tij.

2.   Bashkë me hartat probabilitare të rrezikut sizmik, të publikohen edhe vlerat e rrezikut sizmik në terma të PGA për periudha përsëritje 95 dhe 475 vjet, për çdo Bashki dhe Njësi Administrative të vendit.Këto vlera përfaqësojnë parametrin agR sipas standardit të Eurokodit 8.

 

3.   Të rekomandojë që, si spektra elastikë horizontale dhe vertikalë në të gjithë territorin e vendit të përdoren format spektrale standarde të Eurokodit 8 të Tipit 1, të shkallëzuara me vlerat përkatëse të rrezikut sizmik për të dy nivelet e rrezikut dhe të përzgjedhura në vartësi të Tipit të Truallit që rezulton nga matjet direkte në vendin ku do të ndërtohet.  

Nxitimi Horizontal Maksimal − PGA (njësia: g; VS30=800 m/s)
Probabiliteti i tejkalimit 10% në 10 vjet (Periudha e përsëritjes 95 vjet)

Nxitimi Horizontal Maksimal − PGA (njësia: g; VS30=800 m/s)
Probabiliteti i tejkalimit 10% në 50 vjet (Periudha e përsëritjes 475 vjet)

Shkarkoni PGA sipas Njesive Administrative

free counter

Qendra Kombëtare për Parashikimin dhe Monitorimin e Rreziqeve Natyrore


Qendra Kombëtare e monitorimit të aktivitetit sizmik

Monitorimi në kohë reale 24/24

Buletini Sizmologjik Mujor

Publikim periodik i parametrave valore, parametrave vatrore dhe madhësisë së tërmeteve...